7. Sepse i kam nxitur me insistim etërit tuaj që nga dita që i nxora nga vendi i Egjiptit e deri më sot, i kam nxitur me urgjencë duke thënë: "Dëgjoni zërin tim!".
8. Por ata nuk e dëgjuan as ia vunë veshin, por secili eci sipas kryeneçësisë së zemrës së keqe të tij; prandaj unë do të bëj që të goditen nga të gjitha gjërat e përmendura në këtë besëlidhje, për të cilat kisha urdhëruar t'i respektonin, por që ata nuk i respektuan".
9. Pastaj Zoti më tha: "U zbulua një komplot midis njerëzve të Judës dhe midis banorëve të Jeruzalemit.
10. Janë kthyer në paudhësitë e etërve të tyre të lashtë, të cilët nuk pranuan të dëgjojnë fjalët e mia, dhe u shkuan pas perëndive të tjera, për t'u shërbyer; shtëpia e Izraelit dhe shtëpia e Judës kanë shkelur besëlidhjen që unë kisha lidhur me etërit e tyre".
11. Prandaj kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të sjell mbi ta një gjëmë, nga e cila nuk do të mund të shpëtojnë. Ata do të më klithin, por unë nuk do t'i dëgjoj.
12. Atëherë qytetet e Judës dhe banorët e Jeruzalemit do të shkojnë t'u klithin perëndive të cilave u kanë djegur temjan, por këta nuk do t'i shpëtojnë në kohën e gjëmës së tyre.