49. Kështu secili prej tyre preu një degë dhe shkoi pas Abimeleku; i vendosën degët përballë kullës kryesore dhe e dogjën atë. Kështu gjetën vdekjen gjithë njerëzit e kalasë së Sikemit, pothuajse një mijë veta, gra e burra.
50. Pastaj Abimeleku shkoi në Thebets, e rrethoi dhe e pushtoi.
51. Në mes të qytetit kishte një kullë të fortifikuar, ku ishin strehuar tërë njerëzit e qytetit, gra e burra; u mbyllën brenda dhe hipën mbi çatinë e kullës.
52. Kështu Abimeleku arriti në këmbët e kalasë dhe e sulmoi; iu afrua pastaj portës së kalasë për t'i vënë flakën.
53. Por një grua hodhi poshtë pjesën e sipërme të një mokre mbi kokën e Abimelekut dhe i theu kafkën.
54. Ai thirri menjëherë të riun që i mbante armët dhe i tha: "Nxirre shpatën dhe më vrit, që të mos thonë: "E vrau një grua!"". Kështu i riu e shpoi tejembanë dhe ai vdiq.
55. Kur izraelitët panë që Abimeleku kishte vdekur, secili u kthye në shtëpinë e tij.
56. Kështu Perëndia ia shkarkoi Abimelekut të keqen që kishte bërë kundër atit të tij, duke vrarë shtatëdhjetë vëllezërit e tij.