4. Ndofta Zoti, Perëndia yt, ka dëgjuar tërë fjalët e Rabshakehut, që mbreti i Asirisë, zotëria e tij, ka dërguar për të fyer Perëndinë e gjallë, dhe do ta dënojë për shkak të fjalëve që Zoti, Perëndia yt, ka dëgjuar. Larto, pra, një lutje për atë që mbetet akoma"".
5. Kështu shërbëtorët e mbretit Ezekia shkuan tek Isaia.
6. Dhe Isaia u tha atyre: "Këtë do t'i thoni zotërisë suaj: Kështu thotë Zoti: "Mos u tremb nga fjalët që dëgjove, me të cilat shërbëtorët e mbretit të Asirisë më kanë fyer.
7. Ja, unë do të dërgoj mbi të një frymë dhe sa të dëgjojë ndonjë lajm, do të kthehet në vendin e tij; dhe në vendin e tij unë do ta bëj që të bjerë nga shpata"".
8. Kështu Rabshakehu u kthye dhe e gjeti mbretin e Asirisë që rrethonte Libnahun, sepse kishte mësuar që ai qe nisur nga Lakishi.
9. Por ai mori lajme nga Tirhakahu, mbret i Etiopisë, të cilat thoshin: "Ja, ai lëvizi për të luftuar kundër teje". Atëherë i dërgoi përsëri lajmëtarë Ezekias, duke i thënë:
10. "Do t'i flisni kështu Ezekias, mbretit të Judës, duke i thënë: "Mos e lër që Perëndia yt, tek i cili ke besim, të të mashtrojë duke thënë: Jeruzalemi nuk do të jepet në duart e mbretit të Asirisë.
11. Ja, ti ke dëgjuar atë që mbretërit e Asirisë u kanë bërë tërë vendeve, duke vendosur shkatërrimin e tyre. A do të shpëtoje ti vetëm?
12. A i kanë çliruar, vallë perënditë e kombeve ata që etërit e mi kanë shkatërruar: Gozanin, Haranin, Retsefin dhe bijtë e Edenit që ishin në Telasar?
13. Ku janë mbreti i Hamathit, mbret i Arpadit dhe mbreti i qytetit të Sefarvaimit, të Henas dhe të Ivahut?".
14. Ezekia e mori letrën nga duart e lajmëtarëve dhe e lexoi; pastaj shkoi në shtëpinë e Zotit dhe e shtriu para Zotit.
15. Pastaj Ezekia filloi të lutet para Zotit duke thënë: "O Zot, Perëndia i Izraelit, që ulesh mbi kerubinët, ti je Perëndia, i vetmi, i të tëra mbretërive të tokës. Ti ke bërë qiejt dhe tokën.
16. Vër veshin, o Zot, dhe dëgjo; hap sytë, o Zot, dhe shiko! Dëgjo fjalët e Senakeribit, që ka dërguar këtë njeri për të fyer Perëndinë e gjallë!
17. Është e vërtetë, o Zot, që mbretërit e Asirisë kanë shkatërruar kombet dhe vendet e larta,
18. kanë hedhur në zjarr perënditë e tyre, sepse ato ishin perëndi, por vepër e duarve të njerëzve, dru dhe gur; prandaj i shkatërruan.
19. Por tani, o Zot, na shpëto, të lutem, nga duart e tij, me qëllim që tërë mbretëritë e tokës të dinë që ti vetëm, o Zot, je Perëndia".
20. Atëherë Isaia, bir i Amotsit, dërgoi t'i thotë Ezekias: "Kështu flet Zoti, Perëndi i Izraelit: "Dëgjova lutjen që ti me drejtove për Senakeribin, mbretin e Asirisë.
21. Kjo është fjala që Zoti ka shqiptuar kundër atij: Bija e virgjër e Sionit të përbuz dhe tallet me ty; bija e Jeruzalemit tund kokën prapa teje.