4. Por Jehohazi iu lut Zotit dhe Zoti e kënaqi, sepse pa shtypjen e Izraelit dhe se si mbreti i Sirisë i shtypte.
5. Prandaj Zoti i dha një çlirues Izraelit, dhe kështu banorët e tij mundën t'i shpëtojnë pushtetit të sirëve; kështu bijtë e Izraelit mundën të banojnë në çadrat e tyre si në të kaluarën.
6. Megjithatë nuk u larguan nga mëkatet e shtëpisë së Jeroboamit me të cilat e kishin bërë të kryente mëkate Izraelin, por vazhduan në këtë rrugë; bile edhe Asherahu mbeti më këmbë në Samari.
7. Nga të gjitha trupat e Jehoahazit Zoti la vetëm pesëdhjetë kalorës, dhjetë qerre dhe dhjetë mijë këmbësorë, sepse mbreti i Sirisë i kishte shkatërruar dhe katandisur në pluhur për t'u shkelur.
8. Pjesa tjetër e bëmave të Jehoahazit, tërë atë që bëri dhe tërë trimëritë e tij a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit.
9. Kështu Jehoahazin e zuri gjumi me etërit e tij dhe u varros në Samari. Në vend të tij mbretëroi i biri, Joasi.
10. Në vitin e tridhjetë e shtatë të Joasit, mbretit të Judës, bir i Jehoahazit, filloi të mbretërojë mbi Izraelin në Samari, dhe mbretëroi gjashtëmbëdhjetë vjet.
11. Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit dhe nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, me të cilat e kishte bërë të kryente mëkate Izraelin, por vazhdoi në këtë rrugë.
12. Pjesa tjetër e bëmave të Joasit, tërë atë që bëri dhe trimëria me të cilën luftoi kundër Amatsiahut, mbretit të Judës, a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?
13. Kështu Joasin e zuri gjumi me etërit e tij dhe Jeroboami u ul mbi fronin e tij. Pastaj Joasi u varros në Samari me mbretërit e Izraelit.