17. Dhe ndodhi që, kur u ktheva në Jeruzalem dhe isha duke u lutur në tempull, u rrëmbeva në ekstazë,
18. dhe pashë Zotin që më thoshte: "Nxito dhe dil shpejt nga Jeruzalemi, sepse ata nuk do ta pranojnë dëshminë tënde për mua".
19. Atëherë unë thashë: "O Zot, ata e dinë vetë se unë burgosja dhe rrihja nga një sinagogë te tjetra ata që besonin në ty;
20. kur u derdh gjaku i Stefanit, dëshmorit tënd, edhe unë isha i pranishëm, e miratoja vdekjen e tij dhe ruaja rrobat e atyre që e vrisnin.
21. Por ai më tha: "Shko, sepse unë do të të dërgoj larg midis johebrenjve"''.
22. Ata e dëgjuan deri në këtë pikë; pastaj ngritën zërin duke thënë: ''Hiqe nga bota një njeri të tillë, sepse nuk është i denjë të rrojë!''.
23. Duke qenë se ata bërtisnin, duke i flakur rrobat e duke ngritur pluhurin në erë,
24. kryemijësi urdhëroi ta çonin Palin në fortesë, duke urdhëruar që ta marrin në pyetje duke e rrahur me kamxhik, që të merrej vesh për çfarë arsye ata bërtisnin kështu kundër tij.
25. Por, kur e shtrinë, të lidhur me rripa, Pali i tha centurionit që ishte aty: ''A është e ligjshme për ju të rrihni me kamxhik një qytetar romak, ende të pagjykuar?''.
26. Kur e dëgjoi, centurioni shkoi e i tregoi kryemijësit duke thënë: ''Çfarë do të bësh? Ky njeri është një qytetar romak!''.
27. Atëherë kryemijësi shkoi te Pali dhe e pyeti: ''Më thuaj, a je një qytetar romak?''. Ai tha: ''Po, jam!''.
28. Kryemijësi u përgjigj: ''Unë e kam fituar këtë qytetari me një shumë të madhe''. Pali tha: ''Kurse unë e kam qysh prej lindjes!''.
29. Menjëherë ata që duhet ta merrnin në pyetje u larguan prej tij; dhe vetë kryemijësi, kur mori vesh se ai ishte qytetar romak, pati frikë që e kishte lidhur.
30. Të nesërmen, duke dashur të marrë vesh me saktësi përse ishte akuzuar nga judenjtë, e zgjidhi nga prangat dhe urdhëroi krerët e priftërinjve dhe gjithë sinedrin të vinin. Pastaj, si e sollën poshtë Palin, e nxori përpara tyre.