9. Atëherë u përmbush ç'ishte thënë nga profeti Jeremia që thotë: ''Dhe i morën të tridhjetë monedhat prej argjendi, çmimin e atij që e çmuan, siç kishin çmuar bijtë e Izraelit;
10. dhe i shpenzuan për arën e poçarit, ashtu si më urdhëroi Zoti''.
11. Dhe Jezusi qëndroi para guvernatorit; dhe qeveritari e pyeti duke thënë: ''A je ti mbreti i judenjve?''. Dhe Jezusi i tha: ''Ti po thua!''.
12. Pastaj krerët e priftërinjve dhe pleqtë e akuzuan, por ai nuk u përgjigjej fare.
13. Atëherë Pilati i tha: ''A nuk po dëgjon sa gjëra po dëshmojnë kundër teje?''.
14. Por ai nuk iu përgjigj në asnjë fjalë, kështu që guvernatori u çudit shumë.
15. Tani me rastin e festave guvernatori e kishte zakon t'i lironte popullit një të burgosur, atë që populli kërkonte.
16. Kishin në ato kohë një të burgosur me nam, me emër Baraba.
17. Kur u mblodhën njerëzit, Pilati i pyeti ata: ''Kë doni t'ju liroj, Baraban apo Jezusin, që quhet Krisht?''.
18. Sepse ai e dinte mirë se atë ia kishin dorëzuar nga smira.
19. Dhe ndërsa ai po rrinte në gjykatë, gruaja e tij i çoi fjalë: ''Mos u përziej aspak me çështjen e atij të drejti, sepse sot kam vuajtur shumë në ëndërr për shkak të tij''.
20. Por krerët e priftërinjve dhe pleqtë ia mbushën mendjen turmës që të kërkonte Baraban, dhe Jezusi të vritej.
21. Dhe guvernatori duke vazhduar u tha atyre: ''Cilin nga të dy doni që t'ju liroj?''. Ata thanë: ''Baraban!''.