27. Bashkë me të kryqëzuan edhe dy vjedhës, njërin në të djathtën e tij dhe tjetrin në të majtën e tij.
28. Kështu u përmbush Shkrimi që thotë: ''Ai u përfshi ndër keqbërësit''.
29. Dhe ata që kalonin aty afër e fyenin, duke tundur kokën, dhe duke thënë: ''Hej, ti që e shkatërron tempullin dhe e rindërton në tre ditë,
30. shpëto veten tënde dhe zbrit nga kryqi!''.
31. Po ashtu edhe krerët e priftërinjve me skribët, duke e tallur, i thoshin njëri-tjetrit: ''Të tjerët i shpëtoi, por veten s'mund ta shpëtojë.
32. Krishti, mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi që ta shohim dhe ta besojmë''. Edhe ata që ishin kryqëzuar bashkë me të, e fyenin atë.
33. Pastaj, kur erdhi e gjashta orë, errësira e mbuloi gjithë vendin deri në të nëntën orë.
34. Dhe në të nëntën orë Jezusi bërtiti me zë të lartë: ''Eloi, Eloi; lama sabakthani?'', që e përkthyer do të thotë: ''Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?''.
35. Dhe disa nga të pranishmit, kur e dëgjuan, thoshin: ''Ja, ai po thërret Elian!''.
36. Atëherë një prej tyre erdhi me vrap, e zhyti një sfungjer në uthull dhe, mbasi e vuri në një kallam, ia dha të pijë, duke thënë: ''Lëreni; të shohim nëse vjen Elia që ta zbresë poshtë''.
37. Por Jezusi, si lëshoi një britmë të madhe, dha frymën.
38. Atëherë veli i tempullit u ça më dysh nga maja deri në fund.
39. Dhe centurioni që qëndronte përballë Jezusit, kur pa se, pasi Jezusi bërtiti ashtu, kishte dhënë shpirt, tha: ''Me të vërtetë ky njeri ishte Biri i Perëndisë!''.
40. Aty ishin gjithashtu edhe gra që shikonin nga larg; midis tyre ishin Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Jakobit të vogël të Ioses dhe Salomeja,
41. të cilat e kishin ndjekur dhe i kishin shërbyer kur ishte në Galile; dhe kishte edhe shumë të tjera që ishin ngjitur bashkë me të në Jeruzalem.