11. Por Krishti, që erdhi si kryeprift i të mirave që do të vijnë në të ardhmen, duke kaluar nëpër një tabernakull më të madh e më të përkryer, që s'është bërë me dorë, pra, që nuk është e kësaj krijese,
12. hyri një herë e përgjithmonë në shenjtërore, jo me gjakun e cjepve dhe të viçave, por me gjakun e vet, dhe fitoi një shpëtim të amshuar.
13. Sepse, në qoftë se gjaku i demave dhe i cjepve dhe hiri i një mëshqerre i spërkatur mbi të ndoturit, i shenjtëron, duke i pastruar në mish,
14. aq më shumë gjaku i Krishtit, i cili me anë të Frymës së Shenjtë e dha veten e tij të papërlyer nga asnjë faj ndaj Perëndisë, do ta pastrojë ndërgjegjen tuaj nga veprat e vdekura për t'i shërbyer Perëndisë së gjallë!
15. Për këtë arsye ai është ndërmjetësi i Besëlidhjes së re që, me anë të vdekjes që u bë për shpërblimin e shkeljeve që u kryen gjatë Besëlidhjes së parë, të thirrurit të marrin premtimin e trashëgimisë së amshuar.
16. Sepse atje ku ka një testament do të ketë me doemos edhe vdekjen e trashëgimlënësit.
17. Sepse testamenti është i vlefshëm vetëm pas vdekjes, sepse nuk ka kurrfarë fuqie derisa trashëgimlënësi ende rron.
18. Prandaj edhe Besëlidhja e parë nuk u vërtetua pa gjak.
19. Sepse kur iu shpallën të gjitha urdhërimet sipas ligjit gjithë popullit nga Moisiu, ky mori gjakun e viçave, të cjepve, bashkë me ujë, lesh të kuq dhe hisop, e spërkati librin dhe gjithë popullin,
20. duke thënë: ''Ky është gjaku i Besëlidhjes që Perëndia urdhëroi për ju''.
21. Gjithashtu ai me atë gjak spërkati edhe tabernakullin dhe të gjitha orenditë e shërbesës hyjnore.