21. Pastaj Jezusi u tha atyre përsëri: ''Paqja me ju! Sikurse më ka dërguar mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju''.
22. Dhe, si tha këto fjalë, hukati mbi ta dhe tha: ''Merrni Frymën e Shenjtë!
23. Kujt do t'ia falni mëkatet, do t'i jenë falur, kujt do t'ia mbani, do t'i jenë mbajtur''.
24. Por Thomai, i quajtur Binjaku, një nga të dymbëdhjetët, nuk ishte me ta kur erdhi Jezusi.
25. Dishepujt e tjerë, pra, i thanë: ''Kemi parë Zotin''. Por ai u tha atyre: ''Po nuk e pashë në duart e tij shenjën e gozhdëve, dhe po nuk e vura gishtin tim te shenja e gozhdëve dhe dorën time në brinjën e tij, unë nuk do të besoj''.
26. Dhe tetë ditë më vonë, dishepujt ishin përsëri në shtëpi dhe Thomai ishte me ta. Jezusi erdhi, ndonëse dyert ishin të mbyllura, dhe u prezantua midis tyre dhe tha: ''Paqja me ju!''.
27. Pastaj i tha Thomait: ''Vëre gishtin këtu dhe shiko duart e mia; shtrije edhe dorën dhe vëre në brinjën time; dhe mos ji mosbesues, por besues!''.
28. Atëherë Thomai u përgjigj dhe i tha: ''Zoti im dhe Perëndia im!''.
29. Jezusi i tha: ''Sepse më ke parë, Thoma, ti ke besuar; lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar!''.
30. Jezusi bëri edhe shumë shenja të tjera në prezencën e dishepujve të tij, të cilat nuk janë shkruar në këtë libër.
31. Por këto gjëra janë shkruar që ju të besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, ta keni jetën në emër të tij.