1. Atëherë Pilati mori Jezusin dhe dha urdhër ta fshikullonin.
2. Dhe ushtarët thurën një kurorë me gjemba, ia vunë mbi krye dhe i veshën sipër një mantel të purpurt,
3. dhe thoshin: ''Tungjatjeta, o mbret i judenjve''; dhe i binin me shuplaka.
4. Pastaj Pilati doli përsëri dhe u tha atyre: ''Ja, po jua nxjerr jashtë, që ta dini se nuk gjej në të asnjë faj''.
5. Jezusi, pra, doli, duke mbajtur kurorën prej gjembash dhe mantelin e purpurit. Dhe Pilati u tha atyre: ''Ja njeriu!''.
6. Kur e panë krerët e priftërinjve dhe rojet, filluan të bërtasin, duke thënë: ''Kryqëzoje, kryqëzoje!''. Pilati u tha atyre: ''Merreni ju dhe kryqëzojeni, sepse unë nuk gjej në të asnjë faj''.
7. Judenjtë iu përgjigjën: ''Ne kemi një ligj dhe sipas ligjit tonë ai duhet të vdesë, sepse e bëri veten Bir të Perëndisë''.
8. Kur Pilati i dëgjoi këto fjalë, kishte akoma më shumë frikë;
9. dhe, si u kthye në pretorium, i tha Jezusit: ''Nga je ti?''. Por Jezusi nuk i dha kurrfarë përgjigje.
10. Për këtë arsye Pilati i tha: ''S'po më flet? ti s'e di që unë kam pushtet të të kryqëzoj dhe pushtet të të liroj?''.
11. Jezusi u përgjigj: ''Ti nuk do të kishe asnjë pushtet përmbi mua, po të mos të qe dhënë prej së larti; prandaj ai që më dorëzoi tek ti ka faj më të madh''.