10. Atëherë Simon Pjetri, që kishte një shpatë, e nxori, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë; dhe ai shërbëtor quhej Malk.
11. Por Jezusi i tha Pjetrit: ''Fute shpatën tënde në mill; a nuk do ta pi unë kupën që më ka dhënë Ati?''.
12. Atëherë grupi i ushtarëve, kapiteni dhe rojet e judenjve e kapën Jezusin dhe e lidhën.
13. E çuan më parë te Ana, sepse ishte vjehrri i Kaiafës, që ishte kryeprifti i atij viti.
14. Kaiafa ishte ai që i kishte këshilluar judenjtë se ishte e leverdishme që një njeri të vdiste për popullin.
15. Por Simon Pjetri dhe një dishepull tjetër ndiqnin Jezusit. Dhe ky dishepull ishte i njohur i kryepriftit; dhe hyri me Jezusin në oborrin e kryepriftit.
16. Por Pjetri mbeti përjashta te dera. Atëherë dishepulli tjetër, që ishte i njohur i kryepriftit, doli dhe foli me portieren dhe bëri të hyjë Pjetri.
17. Dhe shërbëtorja portiere i tha Pjetrit: ''Mos je edhe ti nga dishepujt e atij njeriu?''. Ai u përgjigj: ''Nuk jam''.
18. Ndërkaq shërbëtorët dhe rojat ndezën një zjarr me qymyr dhe qëndronin në këmbë e ngroheshin, sepse bënte ftohtë; edhe Pjetri qëndronte në këmbë me ta dhe ngrohej.
19. Por kryeprifti e pyeti Jezusin për dishepujt e tij dhe për doktrinën e tij.
20. Jezusi iu përgjigj: ''Unë i kam folur haptas botës; gjithmonë kam mësuar në sinagogë e në tempull, ku mblidhen të gjithë judenjtë, dhe s'kam thënë asgjë në fshehtësi.